Jo vetëm për Superkupën, rivalët për titull shfaqen në stadium për Partizanin e Kukësin

Superkupa e Shqipërisë është ndjekur me shumë interes në “Elbasan Arena” nga disa spektatorë shumë të veçantë, të cilët nuk ishin aty thjesht për të parë se kush do të bënte të tijin trofeun e parë sezonal. Partizani dhe Kukësi, dy prej skuadrave të cilësuara si pretendente për të fituar titullin kampion, kanë qenë nën monitorimin e trajnerëve të Tiranës dhe Laçit, dy prej ekipeve të cilat kanë shprehur hapur ambiciet që kanë edhe ata për të luftuar për trofeun më të lakmuar.

Ardian Mema dhe Sulejman Starova, të shoqëruar nga pjesëtarë të stafeve drejtuese të klubeve përkatëse, kanë ndjekur në shkallët e stadiumit këtë duel, duke parë me vëmendje se si dy ekipet po paraqiteshin në fushën e lojës, e me siguri duke analizuar me vëmendje skemat që përdornin Duro nga njëra anë dhe Lerda në anën tjetër.

Tirana me përforcimet që ka bërë së fundmi shihet nga të gjithë si një prej rivalëve më të fortë të skuadrave që u ndeshën sot në Elbasan. Nga ana tjetër, trajneri Starova ka shprehur publikisht objektivin e skuadrës së tij në këtë sezon për të luftuar për trofe. Ndaj normalisht sot të dy trajnerët kishin si qëllim monitorimin e rivalëve të tyre për të përfituar sa më shumë që të ishte e mundur për rrugëtimin e gjatë prej 36 javësh në Superiore dhe jo thjesht të vëshgonin duelin e parë zyrtar të edicionit të ri futbollistik në vendin tonë. /vipsport.al/