Jo vetëm afrime te Tirana, drejt largimit mbrojtësi që shkaktoi polemika por mbetet në Superiore

Tirana ka qenë ndër skuadrat më aktive në këtë merkato vere dhe ka afruar futbollistë me emër në futbollin shqiptar. Reparti i mbrojtjes, tashmë është i mbipopulluar te bardheblutë pasi janë afruar futbollistë si Vangjeli apo Osmani, ndërkohë që pritet të afrohet edhe Lila ndërsa bisedime ka edhe me Ylli Shametin.

Kjo ka bërë që drejtuesit të mendojnë edhe për merkaton në dalje, ku i sakrifikuari mund të jetë Jurgen Goxha. Mbrojtësi i afruar në janar te Tirana nga skuadra e Erzenit, ka kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm, megjithatë mund të bëhet një lëvizje më herët.

I interesuar për Goxhën, është klubi i Bylisit megjithatë ende nuk ka asgjë konkrete dhe pritet që ditët në vijim të ketë edhe të tjera zhvillime, ku gjithmonë largimi i Goxhës është në varësi të afrimeve të tjera në mbrojtje si Andi Lila apo Ylli Shameti.

Kujtojmë që Goxha ishte pak javë më parë në qendër të kritikave për shkak të një komenti që kishte bërë në “Facebook” sa i përket futbollistëve nga Kosova, ndërkohë që ai koment detyroi edhe klubin bardheblu të merrte masa kundrejt tij. /VipSport.al/