Intervista për “VipSport”/ Flet heroi i Partizanit, Braun: Nuk premtoj asgjë, kam ardhur për të shënuar dhe fituar trofe

Partizani e nisi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mundur Kukësin në finalen e Superkupës me rezultatin 4-2. Heroi i të kuqve në këtë takim, ishte padyshim afrimi i verës Brajan Braun i cili arriti të shënonte një tregolësh vetëm pak minuta pasi hyri në fushë, duke përmbysur rezultatin nga 1-2 në 4-2.

I intervistuar nga “VipSport.al” në përfundim të ndeshjes, Braun u shpreh se nuk e priste të bënte një paraqitje të tillë, megjithëse donte të hynte në fushë dhe të ndihmonte skuadrën e tij. Sa i përket trofeve, ai shprehet se nuk premton asgjë por shton se ka ardhur për të shënuar dhe për të fituar.

“Ndeshja? Ishte një ndeshje e madhe. Ndeshje e vështirë por deshëm këtë kupë që të fillonim sa më mbarë sezonin, mendoj se ishte një ndeshje e mirë jo vetëm nga unë por nga të gjithë, që nga portieri e deri te sulmuesit, të gjithë punuan mirë sot, morëm rezultatin që dëshironim.

3 golat? Nuk e prisja, doja të hyja në lojë, të ndihmoja ekipin tim, duke shpresuar që të ndryshoja ndeshjen, të krijoja raste e shpresoja të shënoja gola. Por mendoj se ishte një mundësi që m’u shfaq dhe unë e shfrytëzova. Golat janë ato për të cilët jam këtu.

Futbolli në Shqipëri? Futbolli në Shqipëri është i mirë, unë po mundohem që të përshtatem sa më shpejt që të jetë e mundur. Futbolli është i nivelit të mirë këtu, po argëtohem që po luaj futboll në Shqipëri.

Ndeshja me Kukësin në kampionat? Ne po i marrim ndeshjet me radhë, tani do të kthehemi përsëri në stërvitje për tu përgatitur sa më mirë që të jetë e mundur, për të ekzekutuar siç duhet gjërat në ndeshje, por po i marrim ndeshjet me radhë.

Premtim për trofe? Nuk mund të premtoj gjë, thjesht do të them që unë do të bëj çdo gjë që të ndihmoj ekipin që të fitojë trofe, do të punoj që të kontribuoj për skuadrën por edhe për veten, në mënyrë që të përmirësohem, kjo është ajo për të cilën jam këtu, pastaj do ta shohim se çfarë ndodh”, u shpreh Braun. /Erjon Allaraj-VipSport.al/