Intervista ekskluzive e Jani Kaçit: Partizani po i jep ton futbollit, Skënderbeu si Ajaksi

Jani Kaçi është një nga ikonat e futbollit shqiptar. Ish-portieri qe ka spikatur me Skënderbeun por me Partizanin ku ka pasur kulmin e vet, por ka pasur edhe rol drejtuesi te korçarët por edhe Teuta e Shpresat U-21. Në një intervistë për “VipSport.al”, Jani Kaçi flet edhe për gjendje  aktuale dhe rimëkëmbjen e Skënderbeut, si dhe Partizanin….

Profesor, u fol shumë  për Skënderbeun gjatë verës, ndryshim emri largim presidenti…

Është e vërtetë por unë kam pasur besim te z. Takaj sepse ai nuk mund të hidhte poshtë një punë kolosale thuajse të ngritur nga ai vetë. Unë i uroj suksese dhe si një ish-sportist kontribuues për dekada më vjen mirë që Takaj vazhdon të mbajë Skënderbeun në nivele të larta….

Çfarë do të thoni me këtë sepse Skënderbeu nuk merr pjesë në Europë?!

Por kjo nuk do të thotë qe të jetë konkurrent. Ne të gjithë besojmë dhe puna ka kohë qe ka nisur. Janë mbajtur një bazë e sezonit te shkuar e po synohen afrime cilësore. Unë besoj se do të jetë një ekip ashtu si jemi mësuar ne të gjithë në Korçë në vitet e fundit…

Por a ndikon fakti që Skënderbeu nuk merr pjesë në Europë?

Shiko, vërtetë nuk merr pjesë në Europë por të gjithë jemi koshientë që Skënderbeu ka afirmuar shumë trajnerë apo dhe lojtarë vendas e të huaj. Skënderbeu duket si Ajaksi. Edhe Kovaç kur drejtoi Ajaksin tha: “Merita për sukseset është e klubit që na bën të famshëm dhe suksesin e gjeta këtu”. Prandaj edhe kjo politikë e ndjekur në Korçë mua më pëlqen shumë dhe me talentet apo sidomos me punën e mirë në akademi që është me kushte bashkëkohore presidenca meriton notën maksimale.

Ekipet rivale kanë qenë shumë aktive në merkato, ndërkohë që Skënderbeu duket prapa. A do të ndikojë kjo për të qenë një pretendente real për kreun?

Shiko, Skënderbeu ka bërë një goditje në merkato, trajnerin Daja. Ka një eksperiencë të madhe e madje e njeh mirë ambientin në Korçë. Ai është pjesë e historisë së madhe të Skënderbeut. Kam besim se edhe grupi do të harmonizohet sepse edhe afrimet do të jenë cilësore… Takaj di të bëj merkato dhe besoj se këtë javë skuadra do të jetë e kompozuar në pjesën më të madhe të saj.

Ju keni bërë emër edhe te Partizani. Si ju duken të kuqtë pas titullit dhe Europës?

Është e vërtetë, Partizanin e kam pasur, e kam, e do ta kem në zemër. E dua klubin e kuq. I kam dhënë e më ka dhenë shumë. Më respektojnë edhe sot. Me pëlqen se si i vlerësojnë ish-ët dhe drejtuesit kanë meritë për këtë sepse historia nuk harrohet. Partizani është emblemë, ka nisur një projekt dhe besoj se do të ketë sukses. Ne Europë bën mirë dhe një Partizan për titull, apo një Skënderbe për titull do të thotë një futboll më spektakolar e cilësorë.

Intervistoi: Erjon Saliu – VipSport.al