Idrizi: Do rri për të bërë klub, u licencuam se Ministria e kuptoi që jemi të vetmit të deklaruar

Për shumëkënd vazhdon të mbetet enigmë se si Flamurtari i zhytur në borxhe, pa paguar për shumë muaj futbollistët e vet dhe me detyrime të mëdha financiare ndaj palëve të treta dhe shtetit, ia doli që të regjistrohej për sezonin e ri. Si për ironi të fatit, administratori Sinan Idrizi ka shpjeguar sot se licencimi u arrit në akord me Ministrin e Financave dhe FSHF-në, pasi palët kanë kuptuar se Flamurtari është klubi më i rregullt sa i përket financave.

“Arritëm marrëveshje me Ministrinë e Financave pasi ata e dinë shumë mirë që jemi e vetmja skuadër që kemi 5 vite që jemi të deklaruar dhe paguajmë një kontratë jo 2-3 apo si të tjerët. U gjet një mirëkuptim me ata dhe federatën e futbollit dhe morëm licencimin”, ishin fjalët e Idrizit për Top Channel.

Ai konfirmoi se këtë vit do të operohej me një buxhet shumë të reduktuar, për të mbyllur këtë edicion të veçantë ku ideja është të hidhen bazat e një klubi. “Mos prisni nga mua të ndërtoj skuadër, unë jam këtu për të ndërtuar një klub. Do të kemi një buxhet me 60% më pak se në vitet e shkuara dhe do të shohim çfarë do të ndodhë”, vijoi Idrizi i cili shpjegoi se tashmë kishte ndërruar mendjen sa i përkiste largimit.

“Ky është një lajm i keq për të gjithë ata që do mblidhnin 5000 leksha për të mbajtur Flamurtarin. Unë do të largohesha nëse s’do të kishte një ligj për financimin në sport. Kemi projekt për të bërë të gjithë qytetin aksioner të klubit, mua më interesojnë ngjyrat e Flamurtarit që është krenaria jonë, ndërkohë që ne nuk kemi qenë, jemi dhe nuk do të jemi në të ardhmen”, janë fjalët e Idrizit. /vipsport.al/