I zakonshmi Muçi dhe talenti Ibrahimi, Shqipëria U19 fiton dhe sfidon Kroacinë

Përfaqësuesja shqiptare U19 ka mbyllur me një sukses ndeshjet e saj në grup në turneun ndërkombëtar në të cilin po merr pjesë në Zagreb. Pas humbjeve me shifrat 2-1 në ndeshjet kundër Real Madrid dhe Dinamo Zagreb, për kuqezinjtë ka ardhur një sukses 2-1, këtë herë ndaj Olimpija Ljubljanës.

Skuadra shqiptare ka dominuar ndeshjen duke krijuar shumë raste, por golin e gjeti vetëm në pjesën e dytë të takimit. Rrjetën e tundi i zakonshmi Ernest Muçi, i cili shënoi në të tretën ndeshje radhazi, këtë herë falë një penalltie. Ndërkohë, golin tjetër e realizoi Brijan Ibrahimi, sulmuesi i talentuar i cili ka qenë pjesë e akademive të klubeve të rëndësishme italiane dhe aktualisht është pjesë e të rinjve të Breshias.

Me këtë fitore, Shqipëria mbylli grupin në vendin e tretë dhe nesër do të mbyllë përfundimisht pjesëmarrjen në turne duke sfiduar Kroacinë U19 e cila ka dalë e treta në grupin tjetër. Tashmë në lojë është vendi i 5-të në këtë turne që cilësohet ndër të rëndësishmit e grupmoshave në Europë. /vipsport.al/