I dhuroi Vllaznisë kualifikimin historik, golashënuesja Doçi: Goli më i rëndësishëm, i largova emocionet

Vllaznia arriti të merrte një kualifikim historik për në Ligën e Kampionëve, aty ku arriti të dilte e para në fazën në grupe. Shkodranet do të njohin kundërshtarin që kanë në turin pasardhës me eliminim direkt, ku pritet të jetë një emër i madh në futbollin europian.

Vendimtare në këtë ecuri të Vllaznisë, ishte padyshim Megi Doçi e cila si në kampionat, ashtu edhe në Europë po udhëheq Vllazninë drejt sukseseve. Në një prononcim për “Shkodra Sport”, Doçi u shpreh se emocionet te ajo ishin të mëdha në momentin e penalltisë, megjithatë kishte arritur t’i evitonte.

“Të them të drejtën, kisha shumë emocione në momentin kur po shkoja drejt topit, por më pas jo. E ndava mendjen se ku do ta gjuaja topin dhe e bëra me shumë qetësi. Kam shënuar shumë gola, por ky ishte goli me më shumë vlera dhe që do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës sime”, u shpreh Doçi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/