Hoxha: 4-5 skuadra për titull, por të tjerët kanë probleme. Kampionati nuk ka pse të shtyhet

Rustem Hoxha e sheh kampionatin e këtij viti shumë të luftuar në kreun e renditjes, por me shumë probleme në fundin e tij për shkak të problemeve të shumta të skuadrave që do të luftojnë për mbijetesë. Sipas mbrojtësit të Teutës, një kampionati i tillë do të ketë shumë pasiguri në këtë aspekt.

“Lufta për titull do të jetë më e fortë se sezonin që kaloi se janë 4-5 ekipe të përforcuara, do të jetë një sezon shumë i fortë për luftën për titull. Pastaj për mbijetesën nuk e di, se shumë ekipe kanë probleme e nuk e di se si do të shkojë situata”, tha ai për RTSH.

Por a duhet filluar kampionati? Sipas Hoxhës, ai duhet filluar më 24 gusht, pasi ekipe si ai i Teutës kishin bërë përgatitjet duke u bazuar në atë datë. “Për në është shumë mirë të fillojë në datën e caktuar se kemi nisur përgatitjet siç duhet, në kohën e duhur. Jemi të gjithë në rregull si staf, si lojtarë, si klub, si president. nuk ka pse të shtyhet kampionati”, tha lojtari.

Ai ka bindjen se tani Teuta është përforcuar dhe ka ambicie të mëdha për të bërë përpara. “Ekipi është përforcuar, kemi afruar lojtarë cilësorë, edhe lojtarët që kanë qenë janë shumë cilësorë. Besoj se kemi bërë një ekip shumë të mirë.

Objektivi? Detyra jonë është të stërvitemi përditë në maksimum dhe pastaj ndeshje pas ndeshje vjen çdo gjë. Ndeshja e radhës është gjithmonë objektivi kryesor, pastaj në fund të sezonit nëse kë bërë mirë do ta shohim”, theksoi Hoxha. /vipsport.al/