Historia/ Skuadra pa trajner që eliminoi Porton, “Hirushja” e Championsit dhe refuzimi për të qenë pranë Sarrit

Porto u turpërua në fushën e saj, duke u mundur nga Krasnodari me rezultatin 2-3 dhe njëkohësisht duke i dhënë lamtumirën Ligës së Kampionëve. Fitorja e skuadrës ruse në transfertën portugeze, natyrisht që ishte një surprizë jo vetëm për rusët, por edhe për futbollin europian duke parë historinë që Porto ka në Europë.

Për më tepër, interesant është fakti se Krasnodari nuk kishte trajnerin e tij duke qenë se Murad Musaev është penalizuar nga UEFA dhe nuk mund të drejtojë një skuadër për një vit. Shkak për këtë është bërë drejtimi pa pasur një licencë dhe për pasojë, do të duhet të vuajë dënimin e marrë.

Vendin e tij te Krasnodari e ka zënë Sergej Matvev i cilinë të kaluarën ka drejtuar Rusinë U15 dhe U18. Matvev ishte një zgjedhje emergjente për Krasnodarin duke qenë se në muajin korrik të këtij viti, erdhi dënimi i UEFA-s për trajnerin Musaev, i cili natyrisht ka meritat kryesore për këtë sukses të Krasnodarit në Kupat e Europës.

Dy sezone më parë, Musaev kishte mundësinë të shkonte në Napoli për një praktikë te Napoli i Sarrit, megjithatë kjo mundësi ishte refuzuar duke qenë se ishte bërë baba vetëm pak ditë më parë dhe duhej t’i qëndronte familjes pranë. Tashmë, Krasnodari i themeluar vetëm 11 vite më parë, do të ketë mundësi të luajë në “Play Off” të Ligës së Kampionëve. /Erjon Allaraj-VipSport.al/