Hasani: Muskujt e Tiranës nuk maten ndaj një kundërshtari si Luftëtari, na favorizon kalendari

Pas fitores ndaj Luftëtarit, Edon Hasani u shpreh për “Supersport” se muskujt e Tiranës nuk maten ndaj një kundërshtari si Luftëtari. Ai foli edhe për të ardhmen në Superiore, duke u shprehur se Tiranën e favorizon kalendari.

“Pikët janë të rëndësishme pasi u bënë disa vite që nuk e nis mbarë Tirana. Rëndësi ka që fituam me rezultat të pastër, por muskujt e Tiranës nuk maten me një ekip si Luftëtari dhe ato nuk shihen këtu por rëndësi kanë pikët dhe rezultati i pastër.

Pjesën e dytë administruam më shumë pasi në një javë kemi 3 ndeshje dhe sa më shumë të administrojmë dhe sa më pak kemi topin lodhemi më pak.

Vjet na ka munguar eksperienca dhe lojtarë si Osmani na kanë bërë mirë. Vjet kishim probleme dhe kjo eksperiencë me Ilionin dhe të tjerë na japin eksperiencë për të ardhmen por ka edhe çuna të rinj që bëjnë mirë.

Besoj se te Tirana ekziston gjithmonë presioni i rezultatit pasi është klub i madh. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe kalendarin e kemi favorizues. Luajmë me Teutën këtu dhe shkojmë në Shkodër por e thashë që në këtë ndeshje nuk maten muskujt tonë.

Kemi shumë harmoni dhe me rezultate kemi më shumë. Kur humbet, jemi të mërzitur dhe me rezultat do të jemi më të lidhur edhe si grup”, tha Hasani. /VipSport.al/