Harrojeni Turqinë! Veseli protagonist në suksesin e parë të Empolit

Prej më shumë se tre javësh, emri i tij qarkullon në mediat turke si përforcimi më i mundshëm i Denizlispor në kampionatin turk, përfshirë këtu edhe deklarata të trajnerit e drejtuesve të lartë se lojtari ishte shumë pranë firmës me ketë skuadër. Por ndeshja e sotme e Empolit, në javën e parë të Serisë B, tregon një panoramë krejtësisht të ndryshme.

Futbollisti i përfaqësueses shqiptare ishte titullar dhe luajti gjatë 90 minutave në duelin që Empoli fitoi me shifrat 2-1 ndaj Juve Stabia, duke nisur ashtu siç pritej me një sukses Serinë B ku shihet si pretendent kryesor për ngjitjen në elitën e futbollit italian. Klubi në fakt prej kohësh po kërkonte një tjetër mbrojtës krahu, por pas dështimit të marrëveshjes me Adjapong, duket se do të vazhdojë t’i besojë Veselit në të djathtë.

Kësisoj, për mbrojtësin kuqezi duket gjithmonë e më i mundshëm qëndrimi në Serinë B dhe hipoteza turke e largët. Nëse klubi i garanton atij vazhdimësinë në Serinë B, Veseli nuk do të ndryshojë kampionat, edhe pse shpesh ka pranuar se është gati të provojë sfida të reja në karrierë. /vipsport.al/