Grizman nis me kërkesat te Barcelona, La Liga nuk i lejon të marrë numrin e fatit

Antuan Grizman u transferua këtë verë te Barcelona me jo pak polemika, por deri më tani ende nuk ka arritur të lërë gjurmë as në miqësore dhe as në ndeshjen zyrtare, ku katalanasit u mundën 1-0 nga Atletik Bilbao. Sulmuesi francez u prezantua pak javë më parë dhe vendosi të merrte fanellën me numrin 17, duke qenë se numrin 7 e kishte Kutinjo.

Me largimin e Kutinjos, ai ka kërkuar që t’i ndërrohet numri dhe të marrë “7”, numër të cilin e kishte edhe te Atletiko Madrid por kjo dëshirë nuk mund t’i realizohet këtë sezon. La Liga nuk lejon që futbollisti të ndërrojë numër nëse ka luajtur një ndeshje zyrtare me një tjetër numër në fanellë.

Kështu, duke qenë se Grizman luajti me fanellën me numrin 17, atë numër duhet të mbajë deri në fund të sezonit. Ky është edhe një lehtësim për tifozët pasi janë të shumtë ata që kanë blerë fanellën e Grizmanit dhe nuk mund të blinin edhe një tjetër me numrin e ri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/