Gjici: Sot ishim me fat, pres më shumë. Duro nuk ka më nevojë për merkato

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, e ka cilësuar një nisje të mbarë fitoren e sotme ndaj kampionëve të Partizanit. Megjithatë, në “SuperSport” ai deklaroi se priste më shumë nga skuadra kur të gjithë lojtarët e rinj të mësonin lojën e njëri-tjetrit. Ai bëri të qartë gjithashtu se Abazaj ishte goditja e fundit e kësaj verë.

“Në fakt ishte ndeshje e vështirë, mund ta barazonte Partizani. Fati ishte me ne, ekipi nuk është në formën më të mirë se nuk ka shumë kohë me lojtarët. E rëndësishme është që e filluam mbarë.

Jam i kënaqur që fituam me Partizanin se është kampion, duhet vlerësuar. Por pres më shumë nga ekipi, kemi bërë merkato të mirë. Gjithsesi fillimi është i mbarë, por kampionati është i gjatë.

Ne do ta vlerësojmë si ndeshjen e parë deri në fund, kampionati është i gjatë e konkurrues. Janë 4-5 skuadra të përfshira në luftë.

Merkato? Besoj se me Abazajn është goditja e fundit, trajneri Duro nuk ka nevojë më”, tha Gjici. /vipsport.al/