Gati për magjinë e radhës, Igli Tare i shpall luftë Bajern Mynih për një talent 15-vjeçar

Igli Tare bëhet gati për magjinë e radhës, afrimin e një futbollisti me kosto të ulët me bindjen e plotë se brenda disa vitesh, klubi i Lacios do të përfitojë shumë financiarisht nga ai. Drejtuesi shqiptar i lacialëve ka piketuar afrimin e dy futbollistëve të rinj nga radhët e Kievos, vëllezërit Vinjato, me një prej tyre që është kthyer në objekt dëshirash edhe për gjigandët e Bajern Mynih.

Emanuel Vinjato është një sulmues krahu i datëlindjes 2000 dhe Tare e sheh si një përforcim real për skuadrën aktuale të Inzagit. Por “perla” e vërtetë është Samuele Vinjato, datëlindja 2004, një lojtar i cili ka tërhequr të gjithë pasi që në moshën 15-vjeçare po shënon në mënyrë mbresëlënëse me akademitë, edhe kundër më të rriturve.

Palët janë në bisedime prej kohësh dhe për të parin ka një akord thuajse të firmosur. Por po luftohet për të dytin, pasi edhe Bajern Mynih kërkon një talent të tillë dhe sigurimi i tij do të ishte një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Lacios. Për të mundësuar këtë transferim të dyfishtë, Tare është gati t’i kaloj Kievos 24 vjeçarin Tiago Kasasola, i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Salernitanës. /vipsport.al/