Gaboi kundër Bajern Mynih, tifozët e Shalkes denoncojnë gjyqtarin në polici

Ndeshja mes Bajern Mynih dhe Shalkes në fundjavën e kaluar në Bundesligë ka krijuar një situatë të çuditshme gjatë zhvillimit të saj, por edhe pas fundit të sfidës. Të paktën një tifoz i Shalkes është shfaqur në komisariatin e policisë pas ndeshjes, duke bërë denoncim zyrtar për mashtrim kundër gjyqtarit kryesor Marko Fritz dhe asistentit të VAR Bastian Dankert.

Arsyeja janë dy penallti që sipas tyre nuk janë akorduar në favor të ekipit të Shalke gjatë duelit. Fillimisht ishte një prekje me dorë e Pavard në zonë në minutën e 58 të sfidës, ndërsa 5 minuta me vonë ishte Perishiç që kishte ngritur krahun lart në mur duke devijuar një goditje dënimi. Vendime të gabuara edhe për shumë ekspertë, por për të cilat nuk pat ndërhyrje as nga VAR.

Policia konfirmoi zyrtarisht se kishte nisur hetimet, siç ndodh rëndom në këto raste dhe ishte regjistruar edhe në faqen zyrtare të  internetit. Por gjithsesi, hetimi nuk është edhe aq serioz me sa duket, pasi vetë faqja e policisë në Twitter, përdori pak ironi duke komentuar nëse do të ishin të vëmendshëm në ndeshjet e radhës ndaj Shtutgartit dhe Aues. “Ju mund të mbeteni në kontakt me në gjithmonë. Ne mund të servirim edhe shami nëse nuk janë tharë ende lotët pas humbjeve”, ishte komenti i policisë gjermane. /vipsport.al/