FSHF i përgjigjet Braçes: Junajtid dhe Liverpuli kanë stadium me histori, ne nuk po bëjmë shpikje shqiptare

Stadiumi i ri i Kombëtares pritej të ishte inauguruar dhe të luante Shqipëria në të që në Qershor, megjithatë nuk luan as në shtator duke qenë se punimet nuk kanë përfunduar. Sakaq, ende nuk është gjetur një emër i ri duke qenë se stadiumi me kullë nuk do të quhet “Arena Kombëtare” ashtu siç ishte menduar më parë. FSHF nxori në shitje stadiumin dhe kompania fituese do t’i vinte emrin e saj.

Në lidhje me këtë, zv. Kryeministri, Erjon Braçe u shpreh se është diçka e pakuptimtë dhe stadiume si “Old Trafford” apo “Wembley” nuk janë shitur, ndërkohë që Bardhyl Minxhozi i FSHF-së shprehet se janë emra që përmbajnë histori.

“Njoftimi i FSHF në kërkim të një sponsori për Stadiumin e ri për ta vënë administrimin e tij mbi baza komerciale, është pritur me interes nga disa firma me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar.

FSHF, duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e publikut në lidhje me këtë proces dëshiron të bëjë me dije se vendimi i saj, për gjetjen e një sponsori për stadiumin e ri nuk është një shpikje shqiptare. Vetëm dy-tre stadiume në “Premier League” nuk kanë emra tregtarë: Liverpool, Old Trafford dhe Tottenham. Ekspertët vlerësojnë që arsyet që këta të fundit nuk kanë bërë marrëveshje për “shitjen” e emrit lidhen me faktin që historia e emrit tyre, “shet” më shumë se sa emri i një sponsori. Shumica e stadiumeve me histori dhe tradita, qindra vjeçare kanë emra tregtare. Ja disa shembuj në Europë dhe SHBA:

Amex Stadium- Brighton, Etihad Stadium – Manchester, Emirates Stadium – London, Allianz Arena – Munich, Mercedes-Benz Arena – Stuttgart, Orange Velodrome -Marseille, MetLife Stadium – Neë Jersey USA, FedExField – Maryland USA, Bank of America Stadium – North Carolina USA, AT&T Stadium – Texas, Gillette Stadium – Massachusetts USA

Stadiumi i ri ka kushtuar shumë. Mirëmbajtja dhe menaxhimi i tij, do të kushtojë gjithashtu shumë. FSHF nuk ka qëllim tjetër veçse të garantojë të ardhmen e këtij impianti. Dhe kjo është një rrugë e njohur dhe jo një “shpikje shqiptare”, siç e sqaruam me shembujt e mësipërm. Shqetësimi publik i segmenteve të cakturara “tifozo-pushtetare”, në lidhje me çështjen e emrit, s’ka të bëjë me thelbin e çështjes marketing ose jo, madje as me problemin e emrit. Është thjesht, përsiatje dhe këndvështrim i një personi, që në edicionin e radhës së përbaltjes, ende nuk e ka të qartë se si prononcohet: Si pushtetar? Apo si tifoz “i shqetësuar”, apo si politikan që kërkon kredo politike.

Por pavarësisht kësaj ne garantojmë opinionin publik, tifozët, madje edhe ata që nuk mendojnë si ne, se i gjithë ky proçes do të zhvillohet, për të menaxhuar dhe mirëmbajtur sa më mirë, një impiant modern dhe me vlera si Stadiumi i Ri”, ishte reagimi i Minxhozit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/