FOTO / Vazhdojnë negociatat për kthimin, Cuculi shfaqet në ndeshjen e Kukësit

Me sa duket bashkëpunimi mes Kukësit dhe Ardian Cuculit nuk është mbyllur dhe palët vazhdojnë ende negociatat për rinovimin e kontratës. Në parim, verilindorët janë gati të mirëpresin mbrojtësin, duke parë edhe mangësitë që kanë aktualisht në prapavijën e tyre.

Por nuk ka ende një akord financiar për të finalizuar marrëveshjen dhe kjo po mban peng aktualisht edhe zyrtarizimin e firmës në kontratë. Megjithatë, duket se opalët po shkojnë drejt gjuhës së përbashkët pasi Ardian Cuculi sot është shfaqur në grumbullimin e ekipit, më saktësisht në ndeshjen miqësore që Kukësi zhvilloi ndaj Vëllazërimit.

Vetë mbrojtësi ka “dokumentuar” praninë e tij me një foto përkrah Nexhipit, të hedhur në rrjetet sociale. Por kjo vizitë nuk ka qenë thjesht kortezie, pasi Cuculi është takuar edhe me pjesëtarët e tjerë të skuadrës, një hap i parë drejt kthimit te Kukësi ku eksperienca e tij do të bënte punë në një moment kur nga ekipi janë larguar shumë prej titullarëve të sezonit të kaluar. /vipsport.al/