FOTO / Superkupa e fituar nga Partizani, krenohen edhe në Verona me huazimet

Superkupa e Shqipërisë, e fituar nga Partizani përballë Kukësit, shënoi trofeun e parë të sezonit futbollistik në Shqipëri. Për shumëkënd është një trofe simbolik, por për disa të tjerë, Superkupa merr shumë vlera pasi një trofe zyrtar mbetet gjithmonë një trofe. Në këtë version të dytë e trajtojnë përtej Adriatikut, ku në Verona i kanë dhënë rëndësi suksesit të të kuqve.

Shkak janë bërë lojtarët e huazuar së fundmi nga skuadra e Hellas Veronës te kryeqytetasit, Deian Boldor dhe Zhozef Ekuban. Të dy kanë qenë pjesë e 18-shes në duelin e djeshëm, me Boldor i cili ishte në fushë gjatë 120 minutave, por me Ekuban që e ndoqi duelin nga stoli duke mos gjetur hapësira për t’u aktivizuar.

Portali italian që i kushtohen klubit veronez, ‘calciohellas.it’, ka publikuar edhe këtë sukses të skuadrës shqiptare duke kujtuar pikërisht këta dy futbollistë të cilët mbeten ende pjesë e Veronës, edhe pse janë transferuar përkohësisht në kampionatin shqiptar të futbollit. /vipsport.al/