FOTO/ Letra e urimit nga FSHF, tifozët e Partizanit tallen me Dukën: Na emocionove, po na dalin lot

Partizani arriti të fitonte Superkupën e Shqipërisë duke mundur në finale Kukësin me rezultatin 4-2. Të kuqtë marrin në këtë mënyrë trofeun e dytë në pak muaj dhe të parin sezonal, ndërkohë që pas një jave do të luajnë sërish ndaj Kukësit por këtë radhë në kampionat.

Këtë sukses të Partizanit, e ka uruar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka i cili i ka dërguar klubit të kuq një letër urimi. Letra e publikuar në “Facebook” nga klubi, ka sjellë reagime te tifozët të cilët kanë përfituar nga momenti dhe janë tallur jo pak me Dukën.

Ashtu siç dihet, Duka nuk është ndër të preferuarit e tifozëve të cilët nuk i kanë kursyer ironitë kundrejt tij. “Na emocionove”, “na mallëngjeve”, “na mbyti loti”, ishin disa nga komentet e bëra në postimin e klubit të Partizanit.

Letra e urimit:

“Të nderuar,

Më lejoni të shpreh urimet e mia më të sinqerta për suksesin e arritur nga FK Partizani, sukses i merituar në fitoren e ndeshjes për Superkupën e Shqipërisë, edicioni 2019. Ngritja e trofeut të Superkupës në vigjilje të nisjes së kampionatit, rrit besimin dhe motivimin e të gjithë lojtarëve, stafit por edhe të tifozerisë suaj për një sezon cilësor e të suksesshëm. Në emër edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, sërish i uroj suksese Partizanit më tej dhe rikonfirmoj mbështetjen tonë të plotë për fuqizimin e ekipeve tona dhe mundësimin e të gjitha hapësirave për të rritur lojën e bukur të futbollit”, shkruhej në letër. /Erjon Allaraj-VipSport.al/