FOTO/ Ivan Balliu nuk humbet kohë, del në stërvitjen e parë me ekipin e ri

Ivan Balliu i ka dhënë fund pushimeve dhe ka firmosur zyrtarisht me skuadrën e tij të re. Mbrojtësi i Kombëtares do të jetë pjesë e Almerias në kampionatin spanjoll, aty ku synon që të arrijë në nivele më të larta, pas një aventure me shumë luhatje në Francë.

Ditën e sotme, Balliu ka dalë në stërvitje me skuadrën e re dhe është bashkuar me grupin vetëm pak orë pasi ka firmosur kontratën. Mbrojtësi i Kombëtares, është një futbollist që e njeh mirë futbollin spanjoll duke qenë se është rritur në akademinë e Barcelonës.

Në Francë, Balliu kishte jo pak vështirësi me Metzin, aty ku në fillim të sezonit shihej si i padëshiruar në skuadër, por arriti të zinte një vend titullari në formacion dhe të ishte ndër më të dalluarit. Kujtojmë që Metz u bë disa herë pengesë që Balliu të grumbullohet me Kombëtaren pasi ftesa i kishte shkuar me vonesë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/