FOTO / Ish-kapiteni i Kukësit thumbon Duron në rrjetet sociale e pastaj e fshin. Edhe Gjoka nuk mbetet pas

Ndarja e Ylli Shametit me Kukësin nuk ka qenë aq miqësore, pasi me siguri ish-kapitenit nuk i ka pëlqyer fakti se si u anashkalua në atë mënyrë me ndërrimin e trajnerëve në radhët e verilindorëve. Shameti tashmë ka firmosur në Kosovë për Gjilanin por sot ai duket qartësisht që e kishte mendjen te ajo që po ndodhte në Elbasan mes Partizanit dhe Kukësit.

Pas ndeshjes, në rrjetet sociale ai ka hedhur menjëherë një postim të tijin. “Mister “Kuqo” Mos u mërzit se ka ndeshje të tjera”, ishte postimi i tij që i referohet Shpëtim Duros i cili njihet me këtë nofkë. Pak minuta më vonë, ish-kapiteni i Kukësit e ka zhdukur postimin në rrjete sociale por sigurisht që ai është shpërndarë me shpejtësi si thumbim ndaj ish-skuadrës.

Ndërkohë, ish-trajneri Ernest Gjoka, nuk ka mbetur pas, kur menjëherë pas përfundimit të Superkupës, ka postuar një foto. Aty shfaqej ai duke festuar me lojtarët fitimin e Kupës së Shqipërisë në qershor. Për ish-trajnerin mjaftonte data pas shkarkimit të tij e nuk kishte nevojë për fjalë. /vipsport.al/