Flet babai i Mustafit: Më e mira për të gjitha palët është të largohemi

Shkodran Mustafi e ka të qartë se nuk ka më hapësira për të te skuadra e Arsenalit. Ishte vetë trajneri i topçinjve, Junai Emeri, i cili u shpreh se do të ishte mirë që mbrojtësi të merrte në konsideratë për t’u transferuar në një klub tjetër.

Së fundmi, babai por njëkohësisht edhe agjenti i Mustafit, Kujtim Mustafi, është shprehur se më e mira për të gjitha palët është të punojnë për të gjetur një destinacion të ri. “ Shkodrani ka kaluar një kohë të shkëlqyer me Arsenalin. Kemi ende dy vite kontratë dhe mundësia për të qëndruar në Londër nuk është plotësisht e fshirë. Gjithsesi, më e mira për të dyja palët është të punojnë për të gjetur një mundësi tjetër”, tha babai i Mustafit.

Ndërkaq, mbrojtësi me origjinë shqiptare ka marrë vëmendjen e Romës, teksa klubi kryeqytetas ende nuk ka gjetur një zëvendësues për Manolas. Në rast se finalizohet operacioni, ky do të ishte një rikthim për Mustafin, i cili më parë ka qenë pjesë e Serisë A kur aktivizohej me Sampdorian.

/Egi Çabeli-VipSport.al/