Flamurtari nis rindërtimin, prezantohet edhe organizatori boshnjak

Klubi i Flamurtarit është vënë në lëvizje për të filluar punën për sezonin e ri. Edhe pse mes shumë telashesh e detyrimesh të prapambetura, që rrezikojnë praninë e vlonjatëve në elitë, kuqezinjtë kanë nisur sot me firmat në kontrata për të bërë gati ekipin për edicionin e ri, edhe pse janë shumë me vonesë pasi kampionati në teori fillon pas tre javësh.

Pas trajnerit Gerd Haxhiu, në klubin vlonjat prezantimi i radhës ka qenë ai i një prej afrimeve të para të merkatos. Bëhet fjalë për boshnjakun Senmir Bajraktareviç, mesfushor organizator i cili vjen nga radhët e Makabi Ahi Nazareth në kategorinë e dytë izraelite.

Mesfushori 31-vjeçar ka luajtur në shumë skuadra të ndryshme në kampionatin e Bosnjë Hercegovinës, ndërsa në tre vitet e fundit ka qenë pjesë e futbollit izraelit, duke ndërruar atje 4 skuadra në vetëm 2 vite e gjysmë. /vipsport.al/