Flamurtari nis përgatitjet të hënën, të gjithë veteranët i thonë “jo”

Skuadra e Flamurtarit të këtij sezoni do të zbresë në fushë për herë të parë ditën e hënë. Por emrat të cilët do të ketë në dispozicion trajneri Gerd Haxhiu për fillimin e sezonit, mbeten ende enigmë. Kjo pasi nuk janë të shumtë ata që duan të bëhen pjesë e vlonjatëve, duke pasur parasysh problemet e zakonshme që shoqërojnë klubin.

Në ditët e fundit, drejtuesit ishin munduar që të bindnin disa prej emrave të vjetër të skuadrës që të nënshkruanin për sezonin e ri, por kanë marrë përgjigje negative, me lojtarë si Veliu e Kotobelli që ishin ende pa skuadër të cilët kanë bërë të qartë se nuk kanë ndër mend të punojnë më në kushte të tilla pa garancinë e të ardhmes.

Kështu, përtej firmës me Bajraktareviç e zëra për afrimin e një lojtari si Gocaj, vlonjatët pritet t’i drejtohen përsëri tregut të huaj për të shtuar radhët e tyre, të ndërgjegjshëm se nuk kanë shumë hapësira për ta bërë një gjë të tillë meqë në Superiore ka kufizim të huajsh.. Pjesa tjetër do të jenë lojtarë të dalë nga akademia, të cilët do të përbëjnë boshtin e skuadrës në një vit ku për të parë krizë në klub nuk ka nevojë të pritet pjesa e dytë e sezonit si zakonisht. Fakti se skuadra grumbullohet për herë të parë më pak se dy javë para ndeshjes së hapjes së kampionatit, tregon qartësisht se si e fillon Flamurtari këtë edicion. /vipsport.al/