Firma e parë e sheikut, Balliu: Kushdo do të tërhiqej nga ky projekt, të ndihmon kur njeh trajnerin

Ivan Balliu është prezantuar këtë javë si blerja e parë e Almerias nën drejtimin e Turki Al-Sheikh, një projekt milioner që ka si synim kthimin e klubit përsëri në elitë, mes skuadrave më të rëndësishme në Spanjë. Një mundësi e mirë për Balliun, i cili ka pranuar se ideja për t’u bërë pjesë e tij, ishte ajo që e kishte shtyrë të firmoste.

“Falënderoj pronarët dhe klubin për besimin, do të jap gjithçka. Jam i bindur se me durim klubi do të arrijë objektivat që ka. Duam që të konkurrojmë me më të mëdhenjtë. Çdo lojtar do të ndjehej i tërhequr nga ky projekt. Unë mendoj se tifozeria do të kënaqet shumë këtë vit”, tha mbrojtësi i cili pret me padurim fillimin e sezonit.

Ai ka qenë nën urdhrat e trajnerit Pedro Emanuel për dy sezone te Arouka ndaj e njeh shumë mirë. “Nuk kam folur me të, vetëm me pronarët. Por të ndihmon kur njeh trajnerin. Pedro Emanuel ka treguar që ka luajtur ndeshje të rëndësishme, mund të na këshillojë dhe ndihmojë që të rritemi. DNA-ja e trajnerit është këtu prej shumë vitesh. Prania e tij ishte e rëndësishme pse zgjodha këtë projekt”, tha mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare. /vipsport.al/