Fakiç tregon interesimin për Pëllumbin dhe Bregun: Oferta nga Greqia, Turqia e shtete të tjera

Ka një Skënderbe që po ndërtohet thuajse nga e para, por ka edhe një Skënderbe i cili po vazhdon traditën e eksportimit të futbollistëve nga kampionati shqiptar drejt tregut të huaj. Këtë e konfirmon edhe drejtori sportiv, Haris Fakiç, njeriu i cili ndër këto vite ka qenë një ndër elementët kryesorë sa i përket kësaj strategjie të klubit për të mbushur arkat edhe nëpërmjet transferimeve.

Në një prononcim për RTSH, Fakiç ka shpjeguar se si është situata me Jorgo Pëllumbin dhe Dejvi Bregun, dy lojtarët e radhës të korçarëve që pritet të transforohen drejt një skuadre tjetër. Por njëkohësisht, ai thekson se klubi nuk do të ngutet për të marrë vendime pasi nuk sëshiron të ulë cilësinë e përbërjes aktuale.

“Interesim ka për Jorgon natyrisht. Vjet mori minuta te Skënderbeu, ka filluar të luajë përveç te U19 e Shqipërisë, edhe te U21. Duke pasur parasysh që ishte vetëm 18-vjeçar, disa ekipeve europiane që synojnë këto lloj futbollistësh u ka pëlqyer djali dhe interesimi është mjaft i madh nga skuadra që zyrtarisht na kanë çuar ofertë në letër”, tha ai për mbrojtësin.

I shumëkërkuar është edhe Bregu, për të cilin zërat kanë filluar që në sezonin e kaluar. “Interesi për Bregun ka kohë, ka skuadra të interesuara nga Turqia e Greqia, apo shtete të tjera europiane. Bregu është lojtar i cili me shumë qetësi i pret ofertat te Skënderbeu se është i kënaqur te klubi, ne nuk do të jemi në nxitim, sidomos tani kur situata po shkon mirë”, vijoi Fakiç.

“Mendoj që ndoshta nuk është ky momenti i duhur tani të veprojmë për dalje por gjithmonë jam i hapur për transferime nëse ka ofertë që nuk refuzohet dhe ne kemi mundësi të zëvendësojmë e mos dëmtojmë kualiteti. Do të veprojmë në këtë drejtim. Do i marrim punët me qetësi, po përpiqemi me trajnerin Daja që të përgatitim ekipin dhe të jemi maksimalisht të gatshëm për edicionin që na pret dhe të jemi konkurrent i fortë për të gjitha skuadra si çdoherë që ka qenë Skënderbeu në Shqipëri”, ishin fjalët e Fakiç. /vipsport.al/