Fakiç: Klubet shqiptare mund të blejnë vetëm talente, Skënderbeun e njohin mirë në Europë

Drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, nuk mendon se cilësia e kampionatit shqiptar është rritur, por përkundrazi po bie ndjeshëm. Në “Zona GOL”, ai theksoi se rezultatet e arritura në Europë e tregonin më qartësisht këtë fenomen.

“Konkurrenca është në rënie, jo në rritje. Partizani doli shumë lehtë kampion në edicionin e kaluar, konkurrenca mbaroi shumë shpejt. Një nga arsyet e shumta është se forca e skuadrave nuk është si ka qenë më përpara. Skuadra të cilat kanë buxhete më të mëdha, tani nuk po i shoh të bëjnë përforcime të forta, nuk ka hyrje e dalje si më parë.

Kur Skënderbeu ishte në grupet e Ligë së Europës, kishte prodhim kualitativ në kampionat, se nuk ishte vetëm Skënderbeu. Rezultati i kampionatit të vjetshëm u tregua edhe në këtë verë me skuadrat shqiptare që bënë paraqitje mjaft të dobët në Europë. Mendoj se jemi në rënie dhe duhet që skuadrat individuale të merren me organikat e veta dhe buxhetet e tyre sa më parë.

Mendoj se këtë vit pretendent kryesor do të jetë Kukësi sipas meje, për shkak të lojtarëve që ka marrë kohët e fundit. Normalisht edhe Partizani, por edhe Tirana që është një skuadër e përforcuar. Edhe Skënderbeu, pavarësisht ndryshimeve, ju garantoj që do të jetë një ekip që nuk d ët dorëzohet lehtësisht.

Ekipet shqiptare që luajnë në Europë nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të blerë lojtarë cilësorë dhe detyrohet të blejnë talente. Kjo është diçka e mirë në fakt për klubet por ka edhe anën e saj jo pozitive. Klubet shqiptare duhet që të ndjekin edhe futbollistët që luajnë me të rinjtë e Shqipërisë.

Skënderbeu është kthyer në një skuadër të njohur në Europë dhe shumë klube vijnë për të blerë futbollistë sepse e dinë që ne kemi talente dhe futbollistë interesantë. Një ndër to është edhe Jorgo Pëllumbi për të cilin ka edhe oferta zyrtare dhe nuk dihet, deri në datën 31 gusht ndoshta mund të shitet. Ashtu siç thashë edhe më parë, klubet europiane interesohen për futbollistë të Skënderbeun pasi ka kualitet. Pëllumbi bëri paraqitje shumë të mira vitin e shkuar edhe pse ishim në ato probleme që ishim.

Ne do të vazhdojmë të prodhojmë talente edhe këtë sezon deri sa të vihet drejtësia deri në verën që vjen. Blerja më e mirë e Skënderbeut këtë merkato, ishte trajneri Ilir Daja dhe me një trajner të tillë, jam i bindur se Skënderbeu do të jetë në 4 vendet e para pasi kemi cilësinë”, tha ai. /vipsport.al/