Ekskluzive/ Sejdini: Kampionati luhet për ritual, sikur shkojmë te Mali i Tomorit

Faruk Sejdini është një nga ata emra që njeh më mirë futbollin shqiptar, falë një karriere të gjatë si futbollist e si trajner, duke fituar trofe të shumtë gjatë karrierës së tij. Por ai sheh me shumë keqardhje se si kampionati shqiptar tashmë është kthyer në një aktivitet që prodhon pak emocione.

Në një prononcim për Vip Sport, ish-futbollisti e trajneri i mirënjohur i Dinamos e shpreh hapur pakënaqësinë e tij për këtë pamje që ka marrë futbolli në vendin tonë ndërsa mendon se tashmë zhvillimi i kampionatit është thjesht një ritual e asgjë më shumë.

“Gjithë kohën kam qenë pak mosbesues, ndoshta edhe prej moshës, edhe prej eksperiencës. Mendoj se kampionati shqiptar fillon thjesht si rit, në gjithë Europën ka kampionat, duhet të ketë edhe në Shqipëri. Këtu në Shqipëri ndodh që  fillon pa fusha, pa eksperiencë, stërvitje, por vazhdon, ndaj është rit. Edhe ata që shkojnë te mali i Tomorit, shkojnë se është rit, por nuk ndryshon gjë. Futbolli shqiptar vazhdon si rit dhe më i shëmtuar nuk ka ku të shkojë”, shprehet ai.

Një ide ishte që ky kampionat të shtyhej, por Sejdini nuk e sheh këtë si zgjidhjen e problemeve shqiptare. “Ja edhe shtyve 10 ditë, një muaj, nuk ndryshon gjë. Problemi është që të ndryshosh në esencë, jo etapat. Nuk më duket normale. Sa njoh futbollin, them se do luajnë 3 ekipe për kampion. Do thuash në gjithë botën 3 ekipe luajnë për kampion, por e keqja është ekipet poshtë, se ato e degjenerojnë kampionatin. Unë nuk e kuptoj këtu, nuk i plotësojnë kushtet, po i fal federata. Nuk i kuptoj se duhet plotëso kushtet e hajde vazhdo garën. Po si është gara? Duhet të kesh stadium, të kesh një fushë të stërvitesh, të kesh likuiduar borxhe etj, etj. Këtu janë 50% që nuk i kanë këto, e desh Federata dhe e filluan. Por a mund të shkojë një kampionat kështu?”, tha Sejdini në analizën e tij. /vipsport.al/

Related Posts