Ekskluzive/ Partizani synon një tjetër futbollist të huaj, hedh sytë nga ish-mesfushori i Teutës

Merkatoja e Partizanit këtë verë, ka qenë mjaft aktive ku janë afruar futbollistë të shumtë dhe kryesisht nga tregu i jashtëm. Pavarësisht numrit të kufizuar të futbollistëve të huaj që mund të aktivizohen, Partizani synon të tjerë futbollistë dhe tashmë bëhet fjalë për një lojtar që e njeh mirë Kategorinë Superiore.

“VipSport.al” ka mësuar se të kuqtë kanë nisur të interesohen për mesfushorin Lancinet Sidibe, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Teutës dhe një nga më të dalluarit. Mesfushori nga Guinea, u rikthye te Besëlidhja duke qenë se klubi lezhjan ka kartonin e tij.

Drejtuesit e Partizanit, kanë kërkuar informacion nga Besëlidhja në lidhje me futbollistin 22-vjeçar, por për të ka interesime edhe nga jashtë vendit. Ditët ne vijim, pritet që të kuqtë të bëjnë edhe ofertën zyrtare për mesfushorin, që përveç Teutës ka luajtur edhe me Flamurtarin duke qenë edhe në Vlorë nga më të spikaturit. /VipSport.al/