Ekskluzive/ “Largimi i Vrapit, merkatoja dhe objektivat”, Shkëmbi: Vendimi im për të larguar futbollistët

Teuta ishte surpriza e kampionatit sezonin e shkuar duke rivalizuar për titull kampion deri në javët e fundit si edhe duke u renditur në podium për të luajtur më pas në Europë. Padyshim që një meritë të madhe ka edhe trajneri Bledi Shkëmbi, i cili e mori skuadrën vetëm pasi kishte shpëtuar nga rënia nga Kategoria.

Në një intervistë për “VipSport.al”, trajneri i Teutës u shpreh se sezonin që nis pas pak ditësh, objektivat e Teutës janë edhe më të mëdha dhe pret një ngjitje në klasifikim. Shkëmbi u ndal edhe te merkatoja e verës, largimet dhe afrimet si edhe te largimi i Endri Vrapit, krahu i tij i djathtë në sezonin e shkuar.

Bledi, po shkojmë drejt fundit te merkatos. Prisni ndonjë goditje të fundit apo mund të konsiderohet e mbyllur merkatoja?

Jemi në ditët e fundit të lëvizjes së lojtarëve dhe po mundohemi të afrojmë një sulmues. Shpresojmë ta mbyllim sa më shpejt, ndërsa për pjesën tjetër të ekipit jemi OK.

Duke parë lëvizjet që keni bërë në skuadër, por njëkohësisht edhe te kundërshtarët, cilat janë objektivat e Teutës këtë sezon?

Objektivat janë ato qe ishin vjet dhe duam te provojmë akoma më shumë, për t’u ngjitur lart, te jemi çdo moment në vendet e para dhe të provojmë pse jo për më shumë.

Nga Teuta kishte disa largime ne merkato. Ishte zgjedhja juaj për t’i lënë të lirë, apo dëshira e futbollistëve për t’u larguar?

Në fakt ka qenë një vendim i imi së bashku me klubin për të rifreskuar skuadrën në emra dhe në moshë. I vetmi ishte Osmani i cili gjeti dakordësinë me presidentin për t’u larguar. Patjetër që unë personalisht jam i kënaqur me atë që arritëm dhe me të gjithë lojtarët që u larguan sepse për mua si eksperiencë e parë trajnimi, më ndihmuan shumë dhe gjej rastin t’i falënderoj.

A jeni i kënaqur me skuadrën me aq sa keni parë në këtë fazë përgatitore? Çfarë pret me shume?

Po jam shumë i kënaqur me skuadrën në fazën që kaluam. Kemi punuar fort, kemi bërë maksimumin dhe tani presim të marrim rezultatet që duam. Pres që akoma më shumë, të përmirësohemi taktikisht si edhe disa lojtarë të rëndësishëm të vijnë në formën e tyre maksimale sepse kemi pasur disa probleme te vogla.

A ka një arsye për të cilën u largua Vrapi, duke parë se sezonin e shkuar ishit në garë për titull deri në javët e fundit?

Vrapi ka qenë krahu im i djathtë dhe një ndihmë e madhe për mua dhe unë vazhdoj ta falënderoj për atë që na ka dhënë. Arsyet ia kam thënë vetë Endrit dhe nuk me duket e nevojshme ta zgjas më shumë këtë pjesë. Vrapit i uroj fat kudo.

Si e parashikon Superioren sezonin qe nis këtë fundjave?

Superiorja do të vazhdojë të jetë e fortë, e vështirë dhe vazhdoj të them që çdo vit që kalon, është më mirë dhe më e fortë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/