Ekskluzive/ “Kamikazi” Hamiti dhe deklaratat në kohën e Flamurtarit, Duro bën prapaktheu: Nuk merrem me gjyqtarët

Futbolli të përball me situata të ndryshme dhe që kurrë ndoshta nuk ta merr mendja. Shprehja “Kurrë mos thuaj kurrë” vlen shumë, e sidomos në futboll kur bëhet fjalë për nivel profesionist. Kukësi u mund në finalen e Superkupës vetëm pak minuta para fundit, atëherë kur dukej se skuadra po përgatitej për festë.

Disa muaj më parë, ku Shpëtim Duro ishte trajner i Flamurtarit, dha në përfundim të ndeshjes një deklaratë jo pak të rëndë, duke e konsideruar Eldorian Hamitin një gjyqtar kamikaz, i cili ka si detyrë të gjykojë gjithmonë ndeshjet e Kukësit. Fati e deshi që edhe dje të ishte Hamiti, por këtë radhë me Duron si trajner të Kukësit.

“VipSport.al” arriti t’i merrte një intervistë trajnerit të Kukësit, të cilin edhe e pyetëm në lidhje me gjykimin gjatë finales, duke pasur parasysh deklaratat e bëra muaj më parë. Duro nuk ka preferuar të përgjigjet duke u shprehur se nuk merret me gjykimin.

“Ndeshja? Pjesa e dytë ishte dominim total dhe mund të mbyllnim lojën me golin e tretë por mospërqendrim në fund na dëmtoi. U largua Gavazaj dhe duhet ta mbyllnim ndeshjen ose të ishim më të kujdesshëm. Partizani nuk na rrezikoi në pjesën e dytë. E dhuruam këtë ndeshje.

Shkurtaj e Gavazaj? Shkurtaj kishte probleme që në pushimin mes pjesëve ndërsa Gavazaj kishte shqetësime. Të dy futbollistët më kërkuan ndërrim

Hamiti? Nuk kam asnjë koment, nuk dua të merrem me gjyqtarët.

Zëvendësimi i Çemës pas 10 minutash lojë? Është një djalë i ri, kisha një arsye që e largova. Ai e ka të ardhmen përpara”, u shpreh Duro. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

deklaratat