Edhe me sigurime, Gjyla: As në Superiore nuk paguhen si te Lushnja. Po bëmë ekip del rrogë e mirë

Trajneri i Lushnjës, Ilir Gjyla, mendon se skuadra e tij do të jetë konkurruese në këtë sezon me objektivin për t’u ngjitur përsëri në elitën e futbollit shqiptar. Ai ka bërë të qartë se e pret një gjë të tillë edhe nga fakti se te Lushnja në  sezonet e fundit nuk kanë munguar financat.

Gjyla ka shpjeguar për RTSh se si në klubin e tij, kishte rregulla të qarta për pagat duke “sfiduar” skuadrat e Superiores të cilat sipas tij nuk vepronin në të njëjtën mënyrë.

“Kemi disa afrime, si Magani e Ruço, të cilët bashkë me kontingjentin që ka qenë vjet krijojnë grupin, Mendoj se duhen 2-3 futbollistë të tjerë sa për të qenë me kompetitivë në kampionat.

Largimet? Nuk është se ndodh vetëm te Lushnja, por në përgjithësi. Ka disa futbollistë  që mund të jenë në fund të karrierës, a afër fundit dhe ndoshta joshen nga paratë. Është e drejta e tyre dhe nuk i paragjykoj absolutisht që joshen nga financat e momentit e shkojnë në skuadra të tjera.

Megjithatë, unë vazhdoj të them që ne kemi financa, ia kemi dhënë të gjitha futbollistëve, i kanë marrë. Vitin që kaloi janë paguar të 11 muajt. E kam thënë që marrim edhe sigurimet shoqërore që nuk ka asnjë ekip në Shqiupëri. Ashtu si e them që nuk ka asnjë ekip në Shqipëri, as në Superiore nuk i kanë të miratuar si ne që marrim 150 mijë lekë për fitore, janë 100 mijë lekë për fitore brenda. Atëherë t’i mbledhim të gjitha bashkë e të bësh një skuadër kompetitive, paga bëhet shumë e kënaqshme. E kam thënë prej kohësh për të sqaruar futbollistët se kush është Lushnja”, shpjegoi Gjyla mënyrën se si administrohej ky klub aktualisht. /vipsport.al/