E thotë UEFA, Superiorja mes 5 kampionateve më të dobëta në Europë

Kategoria Superiore është mes 5 kampionateve më të dobëta në Europë. Dekretimi i këtij fakti vjen nga renditjet e UEFA-s sa u përket kampionateve në bazë të skuadrave që marrin pjesë në kompeticionet europiane, që është mënyra e vetme për të testuar forcën e lëvizjes futbollistike të një vendi.

Statistikat janë të pamëshirshme dhe konfirmojnë edhe një herë se në raport me vendet e tjera, Shqipëria është shumë mbrapa, pavarësisht investimeve që kanë bërë klube të veçanta e shifrave të larta që paguhen për rrogat e futbollistëve në krahasim me vendet e rajonit apo kampionate në vende me futboll modest. Sipas renditjes sezonale të UEFA-s për edicionin 2019-2020, Shqipërinë e kanë kaluar tashmë edhe kampionate si i Gjibraltarit, Andorrës dhe Ishujve Faroe, pasi skuadrat e këtyre vendeve kanë pasur më shumë sukses në arenën ndërkombëtare në këtë edicion.

Me sistemin e pikëve të UEFA-s për fitore e barazime në ndeshjet europiane, Shqipëria ka koeficientin 0,750 për këtë edicion, që aktualisht rezulton të jetë i 8-ti më i ulët në 55 kampionatet që dërgojnë përfaqësues në Kupat e Europës. Problemi në këtë mes është se tre nga këto kampionate janë ato të Republikës Çeke, Holandës e Zvicrës të cilat kanë 4 apo më shumë skuadra ende në garë në turnetë europiane dhe dukshëm mund të përmirësojnë renditjen e tyre.

Sipas parashikimit, në rastin më të mirë të mundshëm, vetëm Moldavia (0,625) që ka në garë Sherif Tiraspol mund ta mbyllë pa pikë të tjera pjesëmarrjen e saj në Europë e të mbetet pas. Por kjo gjithsesi do të konfirmonte Superioren si kampionatin e 5-të më të dobët në Europë për këtë sezon, duke kaluar tjetër vetëm ata të San Marinos (0), Maqedonisë së Veriut  (0,5) dhe Islandës (0,625). Çdo kampionat tjetër do të renditej më lart se ai shqiptar, duke vendosur rekordin e ri negativ për futbollin tonë.

I mëparshmi regjistrohej në sezonin 2007-2008, kur Superiorja u rendit e 49-ta në 53 vende pjesëmarrëse në Europë duke lënë pas vetëm kampionatin e Luksemburgut, Ishujve Farioe, San Marinos dhe Maltës. Asokohe, në Europë morën pjesë Tirana në Champions, me Teutën e Besën në Europa League, duke koleksionuar në total 3 barazime  e 5 humbje. Shifra të ngjashme me ato të këtij edicioni në Europë, që tregojnë realisht se futbolli shqiptar nuk ka bërë hapa para përtej asaj që trumbetohet, por më shumë se një dekadë pas. /E.K./vipsport.al/