E kam ushqyer me mish të papjekur: Bashkëshortja zbulon sekretin e formës së Vedat Muriqit

Vedat Muriqi është i pandalshëm dhe në ndeshjen e djeshme të Superligës turke ka gjetur sërish rrugën e rrjetës. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, shënoi golin e barazimit ndaj Bashaksehirit, teksa në fund Fenerbahçe e tij arriti të shënonte edhe një herë tjetër për të përmbysur rezultatin, duke marrë përsëri tre pikë të plota në javën e dytë të kampionatit.

Ndërkohë, sekretin e formës së Muriqit e ka zbuluar vetë bashkëshortja e 25-vjeçarit me anë të një postimi në rrjetet sociale, teksa shprehet me shaka se e ka ushqyer futbollistin me mish të papjekur. I pyetur në lidhje me këtë postim, pas ndeshjes Vedat Muriqi u shpreh se ende nuk e kishte parë postimin e bashkëshortes, megjithatë sulmuesi përsëriti se i pëlqen mishi i pagatuar mirë.

Megjithatë, e rëndësishme është se aventura e Muriqit me gjigandët turq ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ish-sulmuesit të Besës dhe Teutës në Kategorinë Superiore i mbetet vetëm t’i japë vazhdimësi performancave të tij. /Egi Çabeli-VipSport.al/