PSG dhe Barcelona akord për Nejmar, në orët e ardhshme zyrtarizimi

Është dashur ndërhyrja e presidentëve për të zgjidhur ngërçin e të ardhmes së Nejmar. Të dy presidentët Al Kelaifi i PSG dhe Bartomeu janë takuar në Monako aty ku do të jenë prezent për ceremoninë e hedhjes së shortit të Champions League.

Nuk mund të mungonin bisedimet për sulmuesin, teksa së fundmi është arritur marrëveshja mes klubeve dhe në orët e ardhshme do të vijë dhe zyrtarizimi. Barcelona ka ofruar kartonin e mesfushorit Ivan Rakitiç dhe mbrojtësin Todibo, ndërsa në paketë është përfshirë edhe huazimi i Dembele, i cili për momentin nuk është dakord.

Sakaq, në arkat e klubit parisien do të derdhen edhe 130 milionë euro. Kështu, Nejmar duket se do të plotësojë dëshirën dhe këtë sezon do të rikthehet në ‘Camp Nou’ për t’iu bashkuar ish-shokëve të skuadrës pas dy viteve në Francë. /Egi Çabeli-VipSport.al/