E bujshme / E kërkon ish-trajneri i Interit, Donald Rapo pranë lamtumirës nga Luftëtari

Ishte nga të paktët lojtarë të cilët kishin mbetur nga grupi i vjetër në radhët e Luftëtarit, por edhe Donald Rapo po bëhet gati të largohet nga gjirokastritët. Vip Sport ka mësuar se në adresë të futbollistit ka mbërritur një ofertë e parefuzueshme për t’u transferuar te një nga klubet më të mëdhenj në Azi e për t’u vënë nën urdhrat e një trajneri shumë të njohur.

Rapo është në bisedime të cilat janë drejt finalizimit me klubin iranian të Esteghlal, me akordin mes palëve që është shumë afër. Futbollisti shihet nga iranianët si një lojtar që mund të bëjë diferencën në klubin me bazë në Teheran, i cili është ndër më te mëdhenjtë atje dhe ka fituar mes të tjerash edhe 2 Kupa Kampionesh të Azisë.

Përtej kësaj, Rapo do të ketë mundësinë që të drejtohet nga një trajner shumë i njohur pasi drejtimin e skuadrës e ka marrë Andrea Stramaçioni, ish-trajneri i Interit në vitet 2012-2013. Pritet që marrëveshja mes palëve të nënshkruhet në ditët në vijim dhe Rapo t’i japë lamtumirën skuadrës së Luftëtarit për të provuar këtë eksperiencë të re jashtë Shqipërisë. /vipsport.al/