Duka: Gati të rinovoj me Rejën, stadiumi përurohet në nëntor

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mendon se të gjithë klubet janë në rregull për të marrë pjesë në Kategorinë Superiore për sa kohë që kanë dorëzuar një shkresë ku bien dakord që të paguajnë detyrimet me këste. Në një intervistë të gjatë për “Top Channel” ku foli për kampionatin, kombëtaren e stadiumin e ri, ai shpjegoi edhe këndvështrimin e tij mbi dënimin e Skënderbeut.

Licencimet, përse ndodhi këtë vit kështu e jo me parë?
“Licencimi është arma kryesore që ka organizatorja, Federata, në këtë rast, për të rritur standardin dhe për të realizuar objektivat dhe strategjitë e veta, kështu që nëpërmjet ndryshimit të kritereve të licencimit arrin që përmirësosh garën, të përmirësosh lojën dhe të përmirësosh vetë organizimin e klubeve. Ky manual licencimi për të gjitha kategoritë që luhet futboll, patjetër që ndryshon vit pas viti, për t’u përmirësuar maksimalisht. Në këtë sezon manuali i licencimit parashikonte të njëjtat kritere që parashikon edhe UEFA për pjesëmarrjen në kupat e Europës. Në fund të fundit, nuk ka kuptim që një ekip të marrë pjesë në garën kombëtare dhe mos të ketë të drejtë të luajë në kompeticionet europiane, duke mos u licencuar. Në këtë formë e bën më pak të interesuar, i krijon më pak të ardhura e të tjera me radhë. Kështu që kërkesa e këtyre kritereve për pjesëmarrjen në Kupat e Europës edhe për kampionatin shqiptar, bëri që disa klube të kishin vështirësi në plotësimin e tyre, por në fund i kanë plotësuar ato kritere edhe me mbështetjen e administratës shtetërore me marrëveshjet që kanë pasur me drejtorinë e tatim-taksave apo edhe me debitorët e tjerë”.

Pra, ka qenë një mbështetje e qeverisë për këtë gjë?
Patjetër që ka patur. Në fakt, ka qenë një lloj bashkëpunimi. Qeveria për të formalizuar futbollin duhet të bënte një lloj amnistie fiskale për klubet e futbollit për t’i futur ata në një ekonomi akoma më formale, por, gjithsesi, kjo amnisti e premtuar që në tryezën e kryeministrit Rama me përfaqësuesit e futbolli, kërkonte një akt formal, marrëveshje për shlyerjen e borxheve me këste. Një marrëveshje që drejtoria e tatimeve tashmë e ka bërë me klubet”.

A i kanë plotësuar realisht 10 skuadrat e Superiores ato kritere?
Patjetër që po. Problemi kryesor lidhej me detyrimet financiare. 3 nga 4 klubet me probleme kishin detyrime ndaj drejtorisë së tatimeve, ndërkohë që klubi tjetër për detyrime ndaj futbollistëve. Të katërta këto skuadra kanë bërë marrëveshjet e nevojshme dhe, për sa kohë një detyrim është në marrëveshje, nuk quhet më detyrim negativ”.

Çfarë po ndodh me paketën e ndryshimeve ligjore që ju i keni kërkuar qeverisë?
“Të gjitha problemet dhe kërkesat që i parashtruam në tryezë që nga ajo kohë janë zhvilluar dhe kanë marrë një drejtim në grupet e ndryshme të punës. Ka patur sigurisht kundërshtime, ka patur debate, por përfundimisht, të paktën nga premtimi i kryeministrit, në muajin shtator do të miratohen. Le të presim shtatorin me shpresën që të përfundojë ky proces që mendoj që do të jetë një shtysë e fortë për zhvillimin e futbollit. Shpesh kam dëgjuar që përse kërkohet t’i japim para futbollit apo t’ia falim, por kjo nuk është e drejtë. I gjithë komuniteti i futbollit, në fund të fundit, që është minimalisht rreth 20.000 njerez, janë taksapagues, kështu që të mbështesësh zhvillimin e këtij sporti nuk është se po i fal ndonjë gjë. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, por kërkojmë që shteti të bëjë detyrën e tij për të zhvilluar futbollin në Shqipëri”.

Problemet financiare në prag të këtij sezoni kanë qenë, në pamje të parë, më të mëdha se në vitet e shkuara. Vërtet ato mund të kenë plotësuar kërkesat financiare që lidhen me licencimin, por tashmë po kanë probleme me formimin e skuadrës…
Nëpërmjet sistemit të licencimit ne kemi për qëllim që të ndërgjegjësojmë klubet për të bërë futboll aq sa të ardhura ka. Edhe ndryshimet në paketën ligjore që kemi propozuar dhe sistemi i licencimit çojnë në objektivin final që futbolli të mbajë veten. Nuk kemi përse të jemi në situata artificiale, për arsye të ndryshme që e kthejnë shpesh herë futbollin në një gropë të zezë. Tashmë jemi vërtet në prag të kampionatit, të 10 skuadrat janë duke u përgatitur, dikush më mirë dikush jo aq mirë, por kështu është edhe futbolli, jo të 10-ta do të dalin kampione, njëra skuadër do të jetë në vend të parë e një në vend të 10-të”.

Një pjesë e skuadrave kanë filluar stërvitjen me të rinjtë, për shkak të problemeve edhe financiare, këtu përfshihen edhe emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Ju shqetëson ky fakt?
E rëndësishme është që në fushën e lojës të jenë skuadra të mira, sot në Superligë ka shumë skuadra që kanë bërë historinë dhe nuk janë më, kështu që duhet të mësohemi që klubet të përshtaten me kohën, me realitetin dhe me këtë formë organizimi. Nuk jemi në kohën e Diktaturës kur klubet ishin të pushtetit, sot jemi në kohëra të tjera në ekonomi tregu që duhet dhe duhet të përshtatesh, kush përshtatet më mirë zhvillohet më shumë”.

Deri përpara pak kohësh Skënderbeu ishte një lloj shembulli i futbollit shqiptar, ndërkohë që dënimi i dhënë nga UEFA dhe konfirmimi nga CAS i ka dhënë një goditje të rëndë dhe kjo duket edhe në përbërjen e skuadrës…
“Dënimi që ka marrë Skënderbeu ka qenë vërtet i pa precedent, shumë i rëndë. U mendua që në CAS do të ndryshonte diçka, por nuk ndodhi kështu. Megjithatë, kjo është një çështje që vazhdon ende gjykimin. Për sa kohë është në fazë gjykimi, nuk mund ta konsiderojmë përfundimtar. Argumente ka apo nuk ka, prova ka apo nuk ka dhe nëse do të jetë apo jo Skënderbeu na duhet të presim”.

A mendoni se dënime si këto trembin pjesën tjetër për të qenë pjesë e trukimit të ndeshjeve dhe a është futbolli sot më i pastër?
“Shiko, që futbolli vuan nga trukimi i ndeshjeve, ky është një fakt që nuk është shqiptar, por ndodh kudo ku luhet futboll. Për këtë arsye, institucionet drejtuese FIFA, UEFA apo Federatat e kanë luftuar. Duke qenë se trukimi është sëmundje e futbollit nëpërmjet këtyre masave por edhe masave të tjera parandaluese ky fenomen është minimizuar. Në çdo rast trukimi i ndeshjeve duhet të luftohet maksimalisht dhe unë i mbështes, kur vërtet ka argumente dhe prova për trupimin”.

Për të kaluar pak të stadiumi kombëtar. Është shtyrë shpeshherë data e inaugurimit dhe ashtu ka ndodhur edhe këto ditët e fundit. Kur do të jetë gati?
Stadiumi nuk është vetëm pjesa e stadiumit që duket, por edhe ambienti i parkingut përpara tij. Është parkimi dhe “Sheshi Italia” në të cilin ende nuk ka filluar puna. Kështu që nëse nuk përfundohet si kompleks është e pamundur që të zhvillohet ndeshje ndërkombëtare. Kështu që pengesa kryesore është “Sheshi Italia”, pasi punimet e stadiumit janë drejt përfundimit dhe stadiumi është gati edhe në shtator si stadium, por si kompleks shpresoj që edhe “Sheshi Italia” të përfundojë dhe ne të bëjmë inaugurimin në muajin nëntor”.

Sa i përket kombëtares, si është atmosfera në ekip, tani me ndryshimin e trajnerit dhe pas ndeshjeve të zhvilluara?
“Atmosfera, në përgjithësi, nuk është shumë pozitive, sepse ne u mësuam që kombëtarja të ketë rezultate shumë më pozitive se kaq dhe pritshmëritë tona për ekipin kombëtar janë akoma më të mëdha. Kjo bën që një pjesë e e opinionit të krijojë një atmosferë jopozitive, që në mënyrë indirekte ndikon negativisht edhe tek ekipi. Megjithatë, atmosfera brenda ekipit dhe stafi i ri ka sjellë një situatë shumë pozitive. Tani do të përgatitemi maksimalisht për dy ndeshjet e radhës me Francën dhe Islandën, dy ndeshje shumë të vështira për ne. Duke patur parasysh rezultatet e ndeshjeve të fundit, janë minimizuar shanset tona për të menduar kualifikimin, por gjithsesi ne do të përpiqemi të bëjmë maksimumin”.

Me kalimin e javëve dhe muajve po i vjen edhe fundi kontratës së trajnerit Edi Reja. Edhe pse të pakta kanë qenë ditët që ai është marrë fizikisht me ekipin. Si e vlerësoni punën e tij deri më tani? Keni menduar se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të 6-mujorit?
“Jam realisht shumë i kënaqur me punën që bën në përgjithësi trajneri i ekipit kombëtar. Është e vërtetë ajo që thatë ju, që atmosfera përpara tij nuk ishte shumë pozitive dhe ekipi humbi besimin, ashtu si edhe njerëzit rreth tij. Edy Reja e ka ndryshuar këtë lloj ambienti, i ka dhënë më tepër besim ekipit, gjë që djemtë e shfaqën edhe në ndeshjen e parë nën drejtimin e tij, në Islandë. Vërtet nuk morëm rezultat pozitiv, por sjellja e ekipit në fushë ishte ndryshe. Duke patur këtë vlerësim maksimal të punës së tij, jam pozitiv për të vazhduar bashkëpunimin me të”.

Veç presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, ju jeni tashmë edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv në UEFA…
“Në fakt, diskutimet në mbledhjet e komitetit, ku unë tashmë janë pjesë, lidhen me të gjitha veprimtaritë më të mëdha europiane pas vitit 2024. Në çdo mbledhje hidhen mendime në tryezë dhe diskutohen apo debatohen, sepse jo gjithmonë organizatori, që është UEFA, dhe ligat e ndryshme europiane janë dakord me ndryshimet e reja”.

A është tashmë futbolli shqiptar më i përfaqësuar në UEFA?
“Sot mund të them që futbolli shqiptar është shumë i përfaqësuar në UEFA. Nëse dikur nga Shqipëria mund të ishte një individ pjesë e ndonjë komisioni të rëndomtë, sot vendi ynë përfaqësohet në qeverinë e futbollit Europian me mbi 10 zyrtarë të ndryshëm të FSHF-së dhe të komunitetit të futbollit tonë, në komisionet e UEFA-s, përveç komitetit ekzekutiv”.

Sa i përket Ligës Profesioniste, a besoni se janë të afta klubet shqiptare për ta menaxhuar vetë kampionatin? E shihni ju këtë edhe si një çlirim, duke qenë që për çdo gjë që ndodh në kampionat akuzat bien mbi Federatën?
Ndonjëherë i bën mirë që shajnë dhe shfryjnë ndaj Federatës se e përdorin si valvul shkarkimi, duke thënë që fajin e ka Federata. Po ta mbyllin këtë valvul, do ta kenë më të vështirë. Gjithsesi, Liga Profesioniste është mbi të gjitha kulturë bashkëpunimi, si një kompani me 10 aksionarë të barabartë. Nuk mund të them që është e pamundur, por do kohën e vet për të arritur në nivelin maksimal të menaxhimit të kampionatit. Ne nuk mund të bëjmë eksperimente e të rrezikojmë garën. Për këtë arsye, po përpiqemi që të hedhim hapa të sigurt që gara të ekzistojë, të zhvillohet, dhe Liga të mbrojë interesat e saj”. /vipsport.al/