Dovedan: Skuadra nuk zbatoi detyrat, duhet të përballemi me realitetin e Superiores

Pas ndeshjes me Teutën, trajneri i Bylisit, Veljko Dovedan dukej mjaft i mërzitur dhe ai theksoi se priste më shumë nga skuadra dhe për më tepër që të zbatonte detyrat taktike në fushë. Për “Supersport”, pas takimit në Durrës, trajneri i ballshiotëve tha: “Thamë gjëra të tjera para ndeshjes dhe në fund bëmë gjëra të tjera, ndaj jam i mërzitur sepse prisja që të luanim ndryshe këtu”.

Bylisi në Kategorinë e Parë ka qenë dominues, ndërsa në disa teste është shfaqur si një skuadër solide. Dovedan tha se ua ka bërë me dije edhe lojtarëve një gjë të tillë dhe se Kategoria Superiore është shumë më e vështirë…

“Tashmë jemi në Superiore, ua kam thënë edhe djemve nuk jemi si në sezonin e shkuar, sepse elita është shumë më e vështirë. Ndaj edhe duhet që të punojmë shumë që të bëjmë kthesën duke filluar që nga ndeshja e radhës”, – tha trajneri Dovedan i ballshiotëve pas ndeshjes së humbur në Durrës.

E.S./Vipsport.al/