Dibala dhe Juventusi gjithnjë e më larg, sulmuesi kishte nisur bisedimet që në maj me Junajtidin

Paolo Dibala mund të jetë me shumë mundësi largimi i madh nga Juventusi në merkaton e verës. Sulmuesi argjentinas kërkohet nga PSG dhe nga Interi, por për të ka një prapaskenë që jep një sinjal në lidhje me të ardhmen e tij. Megjithëse në Torino pretendonin ta mbanin në skuadër, Dibala duket se e ka vendosur që herët për t’u larguar dhe për të gjetur një të ardhme tjetër.

Mediat italiane, raportojnë se Dibala ka nisur bisedimet me Mançester Junajtidin që në muajin maj dhe ky fakt, i ka bërë bardhezinjtë që të mendojnë më shumë për ta larguar argjentinasin. Gjithçka po shkonte drejt mbylljes, por ka prishur jo pak punë menaxheri i tij, i cili kërkonte 15 milionë euro komision, kërkesë kjo që nuk është plotësuar nga “Djajtë e kuq”.

Sakaq, merkatoja në Angli është mbyllur dhe shanset për të kaluar në Angli tashmë nuk ekzistojnë. E ardhmja e Dibalës është mes Milanos dhe Parisit ku të dyja ekipet, kërkojnë fillimisht të shesin. Nëse Ikardi apo Nejmar largohen nga skuadrat e tyre, atëherë do të nisin bisedimet në fazë më të avancuar. /Erjon Allaraj-VipSport.al/