Dështon transferimi surprizë i Bylisit, sulmuesi nuk lejohet të udhëtojë drejt Shqipërisë

Klubi i Bylis nuk ia ka dalë që të sigurojë një tjetër goditje të fundit në merkato për të shtuar forcën e sulmit në dispozicion të trajnerit Dovedan. Klubi ballshiot po studion me vëmendje në këtë periudhë talente të rinj që të rriten në radhët e ballshiotëve në mënyrë që të përfitojë ekonomikisht nga shitja e tyre dhe kishte piketuar një tjetër lojtar në Azerbajxhan me këtë synim.

Por marrëveshja me sulmuesin e përfaqësueses U21 të Azerbajxhanit, Emil Gasimov, ka dështuar në momentin e fundit. Bylisi kishte ndjekur futbollistin dhe kishte arritur një akord parimor me lojtarin i cili është pjesë e klubit të Sabah në kampionatin azer, ku ka arritur të luajë disa ndeshje me skuadrën e parë.

Ndërsa ballshiotët po përgatitnin dokumentacionin për transferimin e tij në vendin tonë, nga Azerbajxhani raportojnë se marrëveshja ka dështuar, pasii Sabah ka bërë prapakthehu, edhe kur i është propozuar thjesht huazimi i lojtarit. Klubi kishte vendosur që ta mbante për ta pasur në dispozicion në këtë sezon dhe kësisoj ka bllokuar transferimin e futbollistit drejt vendit tonë, ku pak kohë më parë huazoi pikërisht në radhët e ballshiotëve mesfushorin Eltun Turabov. /vipsport.al/