Dështon pista turke, por Levante është e detyruar të shesë Sadikun

Armando Sadiku nuk do të transferohet te Trabzonspor. Klubi turk, pasi nuk gjeti akordin financiar me Levanten për transferimin e sulmuesit shqiptar, zgjodhi një tjetër futbollist, duke nënshkruar sot me Daniel Starrixh e duke zënë vendin që kishte rezervuar për futbollistin e përfaqësueses shqiptare në një rreshtim ku gjenden edhe Kaleb Ekuban e Donis Avdijaj.

Si rrjedhojë, Sadiku e fillon edhe një herë gjithçka nga e para sa i përket kërkimit për një skuadër ku të vazhdojë karrierën pasi është jashtë planeve të trajnerit Pako Lopez e për më tepër klubi ka nevojën urgjente ta shesë atë. Levante ka nënshkruar sot me Nemanja Radoja dhe sipas mediave spanjolle, ka kaluar limitet e Fair Play Financiar që ka në rregullore kampionati spanjoll sa u përket të ardhurave dhe shpenzimeve për rrogat e futbollistëve.

Sipas mediave pranë klubit, Federata Spanjolle po monitoron situatën dhe nëse Levante nuk arrin të shesë Sadikun dhe disa emra të tjerë që ka në treg të cilët janë jashtë planeve, rrezikon të penalizohet në aspektin sportiv me heqje pikësh për mospërmbushje të kritereve financiare. Ndaj në ditët në vazhdim deri në mbyllje të merkatos, klubi do të kërkojë me çdo kusht të gjejë një sistemim për Sadikun dhe 4 lojtarë të tjerë, të cilët ashtu si shqiptari nuk kanë më të ardhme në radhët e Levantes. /vipsport.al/