De Laurentis kërkon të afrohet me Ikardin, bisedimet me Interin i nis nga… Uanda

Napoli po kërkon me çdo kusht shërbimet e Mauro Ikardit i cili nuk është në planet e Interit dhe zikaltërit kërkojnë ta largojnë në këtë merkato vere. Juventusi, Roma dhe Napoli synojnë shërbimet e tij, megjithatë ende asnjëra skuadër nuk ka paraqitur një ofertë konkrete për argjentinasin.

Mediat italiane raportojnë se presidenti i Napolit, De Laurentis ka nisur të mendojë për të dhe për të arritur te Ikardi, do të përdorë Uandën. Strategjia e tij është e qartë dhe mediat italiane zbulojnë se fillimisht do të diskutojë me Uandën për t’u njohur me kushtet që Ikardi ka.

Pasi të ketë gjetur akordin me Uandën për pagën e Ikardit, De Laurentis pritet të trokasë në dyert e Interit për të paraqitur ofertën e tij. Napoli synon të marrë sulmuesin argjentinas për 60 milionë euro, megjithatë duket e vështirë duke qenë se zikaltërit pretendojnë deri në 80 milionë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/