Dalipi: Nuk e di nëse qëndrojnë lojtarët. Të mos vijnë fare të tjerë nëse nuk janë më të mirë se këta

Klevis Dalipi ka filluar prej pak ditësh punën si trajneri i skuadrës së Luftëtarit, një detyrë e vështirë duke pasur parasysh gjendjen kaotike në të cilën gjendet për momentin klubi mes ndryshimit të presidencës, borxheve të shumta që ka dhe merkatos e cila për momentin nuk po ecën në drejtimin e duhur.

Megjithatë, pas miqësores kundër Apolonisë, trajneri i gjirokastritëve ka pranuar se ekipi po jep sinjalet e para, të paktën sa i përket përkushtimit. Gjithsesi, ai është i ndërgjegjshëm se nuk ka ende një grup konkret më të cilin të punojë në vijim.

“Gjendja e skuadrës nuk është realiteti i saj. Ne kemi punuar për dy javë, me disa lojtarë të cilët janë nën kontratë nga sezoni i kaluar dhe disa janë afruar rishtazi. Por shumë nga këta që janë aktivizuar në miqësoren me Apoloninë  nuk është se kanë një vendim përfundimtar për qëndrimin e tyre apo jo.

Sigurisht që kam biseduar me drejtuesit dhe shumë shpejt do të afrohen lojtarë cilësorë. Por të mos harrojëm që lojtarët që duhet të afrohen te Luftëtari, duhet të bëjnë diferencën, nëse ata nuk janë më lart se këta që janë aktualisht, më mirë të mos vijnë fare. E kam thënë edhe më parë që te Luftëtari do të qëndrojnë ata lojtarë që kanë dëshirë të ngrenë skuadrën, jo ata që kanë cilësi dhe nuk japin maksimumin. Kjo është fraza që kam përdorur që ditën e parë që kam ardhur këtu, shoh djem që kanë dëshirë dhe sigurisht që kur ke dëshirë mund të bësh diçka të mirë”, tha Dalipi para mediave. /vipsport.al/