Dalipi analizon Luftëtarin: Na mungon eksperienca, por do tentojmë mbijetesën!

Nga një krizë financiaresh dhe largime, tek ndryshimet në klub. E megjithatë, nw Gjirokastër ka tre javë që ka nisur puna për sezonin e ri. Me vonesë, por në klub ka edhe optimistë. Trajneri Klevis Dalipi ka besim se skuadra që ai drejton do të ecë në rrugë të mbarë. Në një intervistë për “Supersport”, Dalipi ka pohuar: “Jemi profesionistë, kriza është totale në Shqipëri dhe duhet të marrim rreziqet. Duhet të pranoj është situatë krejt ndryshe, me një skuadër të re me dy lojtarë nga edicioni i kaluar. Koha është e shkurtër për përgatitjet dhe kalendari i ngjeshur. Ajo që më bën optimist kanë qenë drejtuesit me presidentin Bekim Halilaj. Jam i ri në këtë profesion por kam shumë energji. Jam pritur mirë këtu nga të gjithë. Deri tani jam ndjerë komod në një ambient të qetë. Mbetet për t’u parë e ardhmja”.

Skuadra

“Shkalla e vështirësisë është e lartë pasi lojtarët e rinj kanë energji po në kampionatin shqiptar duhet eksperiencë. Po mundohemi të afrojmë lojtarë me eksperiencë që mund të mbajnë peshën. Jam i parimit “më mirë ai që do se ai që ka”. Eksperienca duhet por do të shohim çdo të bëjmë këto ditët e fundit të merkatos sepse kampionati është i gjatë dhe plot vështirësi”.

Objektivi

“Objektivi ynë është që të ndërtojmë ekip kompetitiv dhe të qëndrojmë në Superiore. Më pas do të shohim në janar mund të bëjmë ndonjë ndërhyrje të vogël, por qëndrimi në Superiore është parësor. Kampionati shqiptar është i vështirë, futboll agresiv dhe luftë e fortë sportive. Nëse skuadra përgjigjet me grintë mund të dalë në idetë e veta.”

Fili

Në radhët e Luftëtarit janë disa kualitete nga sezoni i shkuar, ku bien në sy, Rapo, Demo apo dhe Fili që Dalipi e njeh mjaft mire. “Fili është një lojtar profesionist që e kam stërvitur vetë. Rikthimi i tij është diçka e mirë. Kemi afruar edhe Andi Renjan nga kampionati bullgar. Rapo Demo dhe Kuka janë nga sezoni i kaluar. Duhet 1 ose 2 lojtarë që të jenë lider në ekip”.

E.S./Vipsport.al/