Daja dhe testimet: Të mërkurën bëjmë përzgjedhjen, dua 23 futbollistë

Ilir Daja është i ndërgjegjshëm që te Skënderbeu këtë sezon ka shumë punë për të bërë, duke llogaritur largimet e shumta dhe afrimet e emrave të rinj që janë marrë në provë gjatë këtyre javëve. Vetë trajneri ka treguar pas stërvitjes së sotme në Korçë se është shumë pranë finalizimit të ekipit me të cilin do të përballojë sezonin.

“Po punojmë fort pasi sezoni i ri është shumë afër dhe ne duhet të jemi gati. Kam në ekip shumë futbollistë në provë, por të mërkurën do bëjmë një seleksionim dhe do mbaj në ekip vetëm 23-futbollistë. Natyrisht do jetë një ndërthurje e eksperiencës me talentet e rinj.

Merkatoja është e hapur dhe ne presim edhe përforcime të tjera, por është e vështirë të gjesh lojtarë cilësorë në këtë periudhë pasi janë të angazhuar me ekipet e tjera. Do të jemi konkurrues dhe do bëjmë kampionatin tonë”, ishin fjalët e trajnerit pas stërvitjes.

Gjatë ditëve të fundit, korçarëve u janë bashkuar shumë emra të rinj, të cilët Daja i testoi edhe në ndeshjen ndaj Ulpianës, por nuk është marrë ende vendimi se sa prej këtyre lojtarëve do të vazhdojnë të qëndrojnë pjesë e Skënderbeut. /vipsport.al/