Çekiçi: Po kaloj momentin më të mirë por kam ende shumë, besoj se e meritoj ftesën në Kombëtare

Në muajin janar, Endri Çekiçi u largua nga Dinamo Zagrebi duke firmosur me ekipin e Olimpija Ljubljanës në kampionatin slloven. Aventura e tij e re, ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Çekiçin dhe pasi e mbylli sezonin e shkuar duke shënuar rregullisht, në të njëjtën mënyrë e nisi edhe sezonin e ri.

Çekiçi është kthyer në protagonist te Olimpija, ku në 17 ndeshje me skuadrën sllovene, ka arritur të shënojë 10 gola dhe të japë disa asiste. Në një intervistë për “VipSport.al”, Çekiçi u shpreh se ky është momenti i tij më i mirë deri më tani, ndërkohë që shtoi se ka ende për të dhënë. Sa i përket Kombëtares, pogradecari është i bindur se këtë radhë e meriton ftesën.

Endri, po luan rregullisht dhe po shënon. A është ky momenti më i mirë në karrierë?

Deri tani besoj se është momenti më i mirë për mua. Ndihem shumë mirë por besoj se kam akoma shumë për të dhënë.

A e prisnit që do të kishit këtë ecuri te Olimpija?

Normalisht kur erdha, kisha më shumë besim te vetja por nuk e mendoja që në kohë kaq të shkurtër të kisha këtë ecuri.

Meqë ka kaluar tashmë kohë që nga largimi nga Zagrebi, ku mendon se ke gabuar në të shkuarën?

Fati është një pjesë shumë e rëndësishme në karrierë. Ka pasur momente të cilat mund të kishin ndryshuar komplet karrierën por gjithçka po shkon mirë tani, kështu që jam i lumtur.

Duke qenë se po afrojnë ndeshjet e Kombëtares, a keni pasur vëzhgues nga FSHF këto kohë?

Me aq sa kam dijeni unë personalisht, deri më tani nuk ka qenë askush…

A prisni një ftesë për të qenë në Kombëtare?

Po kaloj një moment shumë të mire edhe statistikat e tregojnë këtë. Besoj se e meritoj një shans për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar.

Do ta konsideronit zhgënjim një mungese të ftesës?

Unë personalisht e pres me padurim një ftesë dhe besoj se këtë radhë e meritoj pasi siç e përmenda më lart, jam në një moment realisht shumë të mirë. Në fund, është trajneri ai që vendos dhe unë duhet vetëm të respektoj vendimin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/