Berisha i shënon Strakoshës: Nuk jam shumë i mirë me kokë, këtë sezon i hapim probleme të gjithëve

Kur dukej gjithnjë e më larg Lacios, duket se gjërat kanë ndryshuar për Valon Berishën i cili ka lënë pas dëmtimet dhe tashmë pritet të rikthehet në fushën e blertë. Mesfushori shqiptar ishte protagonist në miqësoren e zhvilluar mes ekipit të Lacios dhe skuadrës së të rinjve.

Në një prononcim pas ndeshjes, Berisha u shpreh se tashmë ndihet mirë dhe se ndihet gati për sezonin që nis javën e ardhshme. Ai foli edhe për golin e shënuar në miqësoren, duke u shprehur se goditjet me kokë nuk janë arma e tij më e fortë, ku njëkohësisht kërcënoi edhe kundërshtarët.

“Ishte një ndeshje e rëndësishme pasi të dielën kemi një ndeshje të vështirë ndaj Sampdorias. Na duhej për të arritur në kondicionin e duhur fizik. Kemi futbollistë shumë kualitativë dhe mund të jemi më të fortë se sezonin e shkuar.

Goli? Për mua ishte diçka pozitive sepse goditjet me kokë nuk janë ana më e mirë. Më erdhi një top i mirë nga Patrik dhe arrita t’i shënoja shokut tim, Strakoshës”, u shpreh Berisha. /Erjon Allaraj-VipSport.al/