Barcelona merr hapa konkretë për transferimin e Nejmar, në Paris mbërrin legjenda katalanas

Barcelona kërkon të ketë në skuadër me çdo kusht yllin brazilian Nejmar, i cili duket se nuk ka në plan të rikthehet te PSG-ja dhe të tregojë vlerat e tij. Duke parë edhe sjelljen e tifozerisë së fundmi dhe situatën e krijuar, largimi i Nejmar nga Parisi duket i pashmangshëm dhe vetëm çështje kohe.

“Sky Sport” raporton se katalanasit kanë nisur të mendojnë seriozisht për Nejmarin dhe në Paris, ditën e sotme kanë mbërritur drejtuesit për të diskutuar në lidhje me brazilianin. Drejtori i përgjithshëm Erik Abidal dhe një nga pjesëtarët e bordit drejtues, Havier Bordas kanë udhëtuar në drejtim të Parisit.

Ata synojnë që të diskutojnë me drejtuesit e PSG-së dhe t’i bindin për një transferim të brazilianit në “Camp Nou” duke qenë se kjo është edhe dëshira e vetë Nejmarit. Drejtuesit e PSG-së janë dakord për ta lejuar të largohet, megjithatë jo pa plotësuar kushtet që ka sa i përket termave financiarë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/