Bakaj sfidon skuadrën e Serisë A, mediat italiane jehonë sulmuesit shqiptar: Është ylli i skuadrës

Ditën e sotme është hedhur edhe shorti për turin e tretë të Ligës së Europës, teksa goglat i kanë rezervuar Torinos përballjen me Shaktjor Soligorsk, ekipin në të cilin bën pjesë edhe sulmuesi shqiptar Elis Bakaj. Bakaj ishte protagonisti kryesor në kualifikimin e Shaktjorit në turin e kaluar teksa ish-futbollisti i Tiranës shënoi një gol dhe dhuroi një asist në përballjen ndaj danezëve të Esbjerg.

Tashmë, 32-vjeçari do të tentojë të frikësojë edhe ekipin italian dhe të ndihmojë bjellorusët të surprizojnë. Sakaq, edhe mediat pranë klubit të Torinos e dinë se nga vjen rreziku kryesor teksa e kanë piketuar Bakaj si një lojtar që mund të shkaktojë dëm. “ Nëse ekziston një yll në skuadrën e bjellorusëve, ai quhet Elis Bakaj. Shqiptari i datëlindjes 1987 në klubin e Shaktjorit përdoret si trekuartist, por luan edhe si sulmues i dytë apo i parë.

Hapat e parë i ka hedhur te Partizani i Tiranës, ku edhe debutojë mes profesionistëve. Në palmaresin e tij numërohen një titull kampion në Shqipëri me Dinamon, Kupa e Rumanisë me Dinamon e Bukureshtit dhe sezonin e kaluar fitoi Kupën e Bjellorusisë me Shaktjorin.  Bakaj është elementi më teknik dhe me eksperiencë në skuadrën e tij, teksa ndihmon ekipin edhe kur nuk ka topin. Këtë vit ka shënuar 6 gola në 13 ndeshje të kampionatit, 4 në kupat e Bjellorusisë dhe 3 në 4 ndeshjet kualifikuese të Europa League”, shkruhej në përshkrimin për Bakaj. Ndërkohë, ndeshja e parë do të luhet në Torino, më datë 8 gusht.

/Egi Çabeli-VipSport.al/