Asist nga Bakaj dhe Llullaku në debutim, Shakhtior kthehet në luftën për titull

Eliminimi nga Liga e Europës ka bërë që Shakhtior Soligorsk të kthejë përsëri sytë nga kampionati bjellorus dhe të përqendrohet në luftën e ndezur me Brest dhe BATE për titullin kampion. Pjesëmarrja në Europë kishte kaluar disi në plan të dytë kampionatin, por pas eliminimit përballë Torinos, tani skuadra e Bakajt dhe Llullakut duket e fokusuar plotësisht në arritjen e këtij objektivi madhor që klubi ndjek në vitet fundit.

Sot, ekipi i dy shqiptarëve luante në transfertë përballë Slutsk dhe është treguar i pamëshirshëm, duke regjistruar një fitore bindëse 5-0. Bakaj, si zakonisht titullar, dha asistin për golin e dytë ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 37, duke u zëvendësuar më pas kur regjistrohej minuta e 62-të dhe rezultati ishte 3-0 për ekipin e tij.

Në minutën e 74-t, në fushën e lojës hyri edhe Azdren Llullaku, duke bërë debutimin në kampionatin bjellorus. Futbollistit shqiptar iu desh vetëm pak kohë për të lënë shenjë, pasi 3 minuta më vonë dha asistin për golin që vulosi rezultatin 5-0. Shakhtior tashmë mban vendin e tretë në renditje, pesë pikë larg Brest kryesues, por me një ndeshje më pak të zhvilluar. /vipsport.al/